Bidati i qortuar dhe ruajtja ndaj tij dhe lejueshmëria e shpikjeve në dynja




Bidati i qortuar dhe ruajtja ndaj tij dhe lejueshmëria e shpikjeve në dynja.

Me të vërtetë që të gjitha falenderimet i takojnë vetëm Allahut, vetëm Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. E lusim Allahun që të na ruaj nga e keqja e veteve dhe e veprave tona. Atë të cilin Allahu e udhëzon, askush nuk mund t’a çoj në humbje dhe atë të cilin Allahu e lë në humbje askush tjetër (përveç Tij) nuk mund t’a udhëzojë atë.

Dëshmoj se nuk ka të Adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut i Cili është Një, dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

E më pas...

Me të vërtetë që fjala më e mirë është fjala e Allahut ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!). Gjërat me të këqija janë ato të shpikurat, çdo gjë e shpikur është bidat, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të çon në zjarr.

Ndoshta vëllezërit që janë të pranishëm, e dinë se nga përmbajtja e këtij hadithi dhe (haditheve të tjera) të ngjashëm me të, të cilët janë të vërtetuar në librat e Sunnetit dhe me zinxhir të saktë deri tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!).

Siç është hadithi i Aishes (Allahu është i kënaqur me të!):

من أحدث في أمرنا هذا ما ليس منه فهو ردٌّ

‘’Kush shpik diçka të re në këtë çështjen tonë (në çështjen e fesë) e cila nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.‘’

Po ashtu edhe hadithi i Irbad Ibn Sarije (Allahu është i kënaqur me të!) i cili tha:

وعظنا رسول الله صلى الله عليه وآله وسلم موعظةً وَجِلَتْ منها القلوب وذرفت منها العيون فقلنا : يا رسول الله أوصنا

أوصيكم بتقوى الله والسمع والطاعة وإن وُلِيَ عليكم عبد حبشي ، وإنه من يَعِشْ منكم فسيرى اختلافًا كثيرًا ، فعليكم بسنتي وسنة الخلفاء الراشدين المهديين من بعدي ، عضو عليها بالنواجذ وإياكم ومحدثات الأمور ، كل محدثةٍ بدعة ، وكل بدعةٍ ضلالة

‘’Na porositi neve i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!) një porosi nga e cila u frikësuan zemrat dhe lotuan sytë.
Ne i thamë Atij: O i Dërguari i Allahut na këshillo!
Ai tha: Ju porosis juve që të keni frikë (devotshmëri) ndaj Allahut. Dhe të dëgjoni e të bindeni edhe nëse keni prijës një rob nga Abisinia. Sepse ai i cili do të jetojë prej jush pas Meje do të shikojë përçarje/kundërshtime të shumta. Prandaj detyra juaj është të kapurit pas Sunetit Tim dhe Sunetit të Prijësve të Drejtë e të Udhëzuar, që do të vijnë pas Meje, shtrëngojeni atë (sunnetin) fort me dhëmballë dhe largohuni nga gjërat e shpikura (në fe) sepse çdo shpikje është bidat, dhe çdo bidat është humbje
.‘’

Këto hadithe konfirmojnë atë çfarë unë mendoj për juve, që ju e kuptoni dhe jeni të bindur që çdo vepër e shpikur në fe është humbje.

Kam për qëllim me fjalën ‘’në fe‘’ sepse shpikja e urryer është pikërisht shpikja në fe.

Ndërsa për sa i përket shpikjeve në çështjet e kësaj bote, disa prej tyre janë të lavdëruara/të lejuara kurse disa të tjera janë të urryera/ndaluara, në varësi të natyrës së shpikjes. Nëse shpikja e kundërshton sheriatin, atëherë ajo është e urryer/ndaluar. E nëse shpikja nuk bie ndesh me sheriatin, atëherë më e pakta është se ajo është e lejuar.

Ndër fjalët më të mira që është transmetuar në lidhje me këtë çështje është thënia e Shejkhul Islam Ibn Tejmijes (Allahu e mëhiroftë!), ku ai ka vendosur një rregull/parim shumë të rëndësishëm, të cilin e ka nxjerrë nga këto hadithe apo edhe nga tekste të tjera të cilat tregojnë se origjina e gjërave është lejimi. Ky është një rregull usuli (në baza/parime).

Ka thënë (Allahu e mëshiroftë!):
‘’Origjina në çështjet fetare/në adhurime është ndalesa, përveç rasteve kur ka tekst/argument që i bën ato (adhurimet) të lejuara. Ndërsa origjina në çështjet e kësaj bote është lejimi i tyre, përveç rasteve kur ka tekst (argument) që i ndalon ato.‘’

Kjo do të thotë që çdo vepër e shpikur në fe është e ndaluar, kurse vepra e shpikur që lidhet me këtë botë është e lejuar, nëse nuk e kundërshton tekstin/argumentin, siç e përmendëm më parë.

Diçka tjetër ndaj së cilës duhet tërhequr vëmendja, është fjala e Tij (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!):

وإياكم ومحدثات الأمور

‘’dhe largohuni nga gjërat e shpikura.‘’

Kjo do të thotë, se çdo adhurim (ibadet) që u shpik pas Pejgamberit (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!) është humbje edhe pse shumë prej njerëzve kujtojnë se ajo është gjë e mirë.

Të vërtetën e ka thënë Abdullah Ibn Umer Ibnul Khattab (Allahu është i kënaqur me te dy ata!) kur ka thënë:

كل بدعةٍ ضلالة وإن رآها الناس حسنة

‘’Çdo bidat është humbje edhe nëse njerëzit e shohin atë si diçka të mirë.‘’

Sepse konsiderimi i shpikjes në fe si diçka e mirë, do të thotë se ai njeri i cili mendon se shpikja në fe është gjë e mirë, e ka krahasuar veten e tij me Zotin e botërave. Me të Cilin askush nuk është i barabartë që të ketë të drejtën të legjimitojë ligje përveç atyre që i ka vendosur Allahu i Lartmadhëruar.

Për këtë arsye ka thënë Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!):
‘’Kush e konsideron shpikjen në fe si diçka të mirë, me të vërtetë ai njeri ka ligjësuar ligje (në vend të ligjeve të Allahut).‘’

Sepse si mund t’a di personi i cili e konsideron përmisimin në fe (duke shpikur bidate) si diçka të mirë duke u mbështetur vetëm tek logjika e tij, pa u bazuar tek libri i Zotit të tij dhe as tek Sunneti i Profetit të Tij. Pra si mund t’a di ai që kjo çështje është diçka e mirë?!

Për këtë shkak, që të gjithë ne obligohemi që qëndrimi i jonë të jetë ndalimi/frenimi nga çdo lloj shpikje në fe, për shkak të asaj që u përmend pak më parë prej haditheve të sakta.

Autori:
Imam Albani
(Allahu e mëshiroftë!)

Burimi:
Vargu i ligjeratave
‘’Huda uen Nur‘’ 1/1

Përshtati:
Sulejman Kushi
22 Dhul Ka’deh 1444H – 11.6.2023

Në video mund ta shikoni këtu